Secondary Adv

Tërmeti 8.8 ballë në Kamchatka, vullkani më i madh në Rusi aktivizohet pas lëkundjeve

Vullkani më i lartë i Euroazisë ka shpërthyer pas tërmetit në rajonin Kamchatka të lindjes së largët të Rusisë, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti.

Me një lartësi prej 4,750 metrash, Klyuchevskaya Sopka është një nga vullkanet më aktivë në botë.

 

Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi sot rajonin lindor rus Kamchatka, duke vendosur në alarm për cunami jo vetëm Rusinë, por edhe SHBA-të, Japoninë dhe një sërë vendesh.

 

Vullkani Klyuchevskoy në Rusi shpërtheu dhe hiri i tij arriti deri në 3 kilometra mbi nivelin e detit, sipas Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamchatka-s (KVERT), të Institutit të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë të Akademisë ruse të Shkencave, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi rajonin.

 

“Deri në këtë kohë, reja e hirit është përhapur 58 kilometra në lindje të vullkanit. Vullkani vazhdon të shpërthejë në majë. Emetimet e hirit në lartësi deri në 8 kilometra mbi nivelin e detit mund të ndodhin në çdo kohë. Aktiviteti i vazhdueshëm mund të ndikojë në fluturimet në lartësi të ulët”, thuhet në deklaratë, sipas Interfax.

 

KVERT raportoi gjithashtu se “krateri i vullkanit është pothuajse i mbushur me llavë dhe priten rrjedha llave”.

 

Një kod paralajmërimi portokalli për aviacionin është lëshuar, por fluturimet ndërkombëtare nuk kalojnë nëpër zonën e Klyuchevsky-t.

 

Vullkani Kluchevskaya Sopka, i njohur edhe si Kluchevskoy, ndodhet në Kamchatka, e cila gjeologjikisht i përket Unazës së Zjarrit të Oqeanit Paqësor.

 

Është maja më e lartë në Siberi dhe vullkani më i lartë aktiv në Euroazi, duke arritur një lartësi prej 4,750 metrash. Vullkani është pjesë e monumentit natyror të Vullkaneve Kamchatka, i cili është njohur si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

 

Është një vullkan, i formuar rreth 7,000 vjet më parë nga shpërthimet e njëpasnjëshme të llavës, hirit dhe materialeve të tjera vullkanike.

 

Forma e tij klasike konike e bën atë një tipar mbresëlënës në peizazh, ndërsa aktiviteti i tij intensiv e rendit atë midis vullkaneve më aktive në botë. /Ballkan Web


Më të lexuarat